Familja e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, ka njoftuar se ai është duke marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, pasi ka pësuar rënie të theksuar të tensionit të gjakut gjatë qëndrimit në Burgun e Pejës.
Sipas njoftimit të familjes, ngjarja ka ndodhur më 20 tetor, rreth orës 15:00, kur gjatë një kontrolli rutinor është konstatuar se tensioni i gjakut i Gecit kishte rënë në 60 me 40.
Familja ka bërë të ditur se Geci nuk kishte shfaqur simptoma paraprake, ndërsa stafi mjekësor i Spitalit të Pejës është angazhuar për të përcaktuar shkaqet e kësaj rënieje të tensionit.
Përmes njoftimit publik, familja Geci ka shprehur falënderime për personelin e Burgut të Pejës, duke vlerësuar reagimin dhe kujdesin e treguar ndaj ish-deputetit.
“Familja jonë vlerëson lart përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin e të gjithë atyre që po angazhohen për shëndetin dhe mirëqenien e vëllait tonë”, thuhet në njoftim.
Familjarët kanë shprehur gjithashtu mirënjohje për stafin shëndetësor dhe të gjithë personat që po kujdesen për gjendjen shëndetësore të Gecit.
