Asambleja Parlamentare e Këshillit të BE-së (PACE), në seancën e sotme, ka diskutuar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ku përfaqësues të shumë shteteve i dhanë mbështetje Kosovës drejt anëtarësimit në KiE.
Derisa përfaqësuesit e Serbisë folën për një realitet tjetër nga ai i vërteti në terren mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, Arta Bilalli Zendeli, kërkoi që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje me njohje reciproke.
Kurse Davor Ivo Stier, përfaqësuesi i Kroacisë në PACE, tha se Putini ka dëshirë që të nxisë një konflikt edhe në Ballkanin Perëndimor, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me reforma drejt anëtarësimit në BE.
“Të hapet dera për Kosovën që të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës por edhe e OKB-së, por të hapet dera që edhe Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Si Kosova, ashtu edhe Serbia, janë të rrethuara nga BE-ja dhe NATO-ja. Prandaj, besoj se vendi i Serbisë dhe i Kosovës është me Perëndimin dhe në Perëndim. Natyrisht se u përket autoriteteve në Beograd të dalin në linjë me Perëndimin, për t’u bërë anëtare e BE-së, dhe u përket autoriteteve në Prishtinë të bëjnë reformat e nevojshme për t’u bërë fillimisht vend kandidat e pastaj anëtar i BE-së”.
“Zgjidhja evropiane, dhe pres me padurim për këtë zgjidhje, është që Serbia dhe Kosova të jenë sërish të bashkuara, por kësaj radhe si dy shtete anëtare të Evropës së bashkuar, si dy shtete anëtare të BE-së”, tha kroati Stier.