Prej javësh analistët kanë dhënë alarmin, por tashmë edhe në Kiev autoritetet ukrainas pohojnë se Rusia po përgatit një ofensivë të re, me synimin e përmbysjes së rezultateve në fushëbetejë deri më tani.
Sipas analizave që burojnë edhe nga të dhënat e shërbimeve inteligjente, fushata e re mund të fillojë për pak javë, në shkurt ose në mars, me shumë mundësi duke nisur nga Luhansku, me objektivin e thyerjes se linjës mbrojtëse ukrainase në qytete si Bakhmut por edhe pushtimin e pikave të tjera strategjike si Kramatorsk dhe Sloviansk, dhe ndoshta edhe kundërpërgjigja në qytete si Lyman dhe Izium që u morën serish nga Kievi gjatë verës.
Sipas Oleksii Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë kombëtare ukrainase, Kremlini mund të ketë caktuar një datë simbolike për fillimin e operacioneve, pikërisht ai 24 shkurt që përkon me fillimin e asaj që cilëson ende si “operacion special”, i nisur një vit më parë .
Arsyeja për një vendim të tillë nuk është e vështirë për ta kuptuar. Kremlini dëshiron të tentojë një përmbysje para se të mbërrijnë pjesa më e madhe e ndihmave perëndimore ndaj Kievit, në veçanti rreth 300 tanket të tipit Leopard dhe Abrams si dhe sistemet e tjera kundërajrore. Gjeneralët rusë mendojnë që kjo hapësirë kohore mund të jetë e fundit e mundshme për të kontrolluar sa më shumë territore, duke rrënuar edhe moralin e kundërshtarit.
Armatimet nuk i mungojnë Moskës, që edhe në ditët e fundit ka sulmuar në mënyrë intensive me raketat e saj, ndërkohë që sipas një burimi të shërbimeve sekrete të Estonisë, forcat ruse kanë ende raketa për të paktën 4 muaj.
“Rusët para luftës kishin rreth 2500 raketa konvencionale. Kanë përdorur pak a shumë gjysmën. Mendojmë se ata mund të kenë raketa të mjaftueshme të paktën për katër muaj, ndërkohë që mund të jenë edhe 9 muaj, sepse nga analizat në terren është parë që Moska po ndërton raketa të reja, rreth 65 vetëm në 6 muajt e fundit, dhe kjo do të thotë se dikush e furnizon me materiale ose i kanë blerë ato para fushatës”, është mendimi i kolonelit Margo Grosberg, kreu i shërbimeve ushtarake të Estonisë.