Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Iran, aty ku dyshohet se është sulmuar me dron një fabrikë armësh në qytetin qendror të Isfahanit.
“Një shpërthim ka ndodhur në një objekt ushtarak në Isfahan, por fatmirësisht nuk ka viktima”, ka thënë Jan-Nesari, nënkryetar i sigurisë në Isfahan. Më vonë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një sulmi me dron. “Pati një sulm të pasuksesshëm kundër një kompleksi industrial të Ministrisë së Mbrojtjes. Sistemi i mbrojtjes ajrore arriti të shkatërronte dy dronë të tjerë. Për fat të mirë, ky sulm i pasuksesshëm nuk lëndoi askënd, por shkaktoi dëme të vogla në tarracën e ndërtesës, raportoi IRNA duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes të Iranit.
Për këtë rast, Reuters, teksa citoi një zyrtar amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej, thotë se pas sulmit me dronë dyshohet të ketë qenë Izraeli, edhe pse ky i fundit nuk ka pranuar të komentojë deri tani ngjarjen. Në anën tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, mohoi kategorikisht që Amerika të kishte lidhje me këtë ngjarje.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, e vlerësoi ngjarjen si një sulm frikacak që synon të krijojë pasiguri në Iran.
Kjo ngjarje vjen në një kohë tensionesh midis Iranit dhe Perëndimit mbi aktivitetin bërthamor të Teheranit dhe furnizimin e tij me armë, duke përfshirë edhe “dronë kamikazë” me rreze të gjatë, për luftën e Rusisë në Ukrainë, por edhe pas muajsh protestash të forta kundër qeverisë në vend.