Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, është shprehur kundër idesë se ministrit të Financave, Hekuran Murati në lidhje me faljen e 100 eurove të para të shumës së përgjithshme të tatimit në pronë.
Ministri propozoi që atë që kanë tatim në pronë 200 euro, 100 euro t’iu falet, ndërsa 100 mbetet për pagesë, ndërsa për ata që kanë tatim në vlerë deri në 100 euro, iu falet plotësisht. Mirëpo, Latifi tha se me këtë ide më mirë t’ia vënë dryrin komunës, pasi në Rahovec i bie që të mos paguajnë tatim rreth 90% e qytetarëve.
Ai tha se tatimi në pronë janë të hyrat më të rëndësishme për komunën, prandaj nuk kanë se si t’i kompensojnë mungesën e këtyre të ardhurave, pavarësisht se pranoi që faturat e reja janë shumë të larta.
Latifi, që iu drejtua këshilltarëve komunalë në Asamble, tha se është e drejtë ligjore e Ministrisë së Financave, të bëjë rivlerësimin e pronës, por për arsye socio-ekonomike, duhet ta shtyjë vendimin për rivlerësim të pronës.
“Nuk jam ithtar i këtyre ideve që do ta na prekte shumë keq nëse deri në 100 euro mund t’i falësh siç po diskutohet. Kuvendet e Komunave nuk falin tatim në pronë, falin taksa në qira, ndryshojnë, krijojnë, por tatimi në pronë është obligativ se edhe ligji nuk e lejon. Në qoftë se shkohet me falje qysh po flitet atëherë 85% deri 90% nuk paguajnë hiç sepse nuk kanë arsye të paguajnë sepse nuk iu bie të paguajnë, atëherë ne veç tregoni a ia qesim dryrin Komunës së Rahovecit sepse s’ka më. Të hyrat kryesore janë të hyrat e tatimit në pronë”, deklaroi Latifi.
Ai tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje, pasi faturat aktuale janë të larta por nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të falë tatimin, atëherë duhet të tregojë se si do të kompensohen mjetet e planifikuara nga tatimi në pronë për buxhetet e Komunave.
“Të shfuqizohet ky vendim, ose të shtyhet për një kohë, apo të adresohet një ndryshim-plotësim i ligjit për tatim në pronë, përndryshe nuk jam për falje, jo se nuk i dua qytetarët, i duam të gjithë, por politikë nuk jemi duke bërë, por nuk jemi të gatshëm ta marrim drynin t’ia vëmë Komunës. Por në qoftë se 85% deri 90% nuk i bie të paguajnë, t’ju falet, vetëm le të tregojë se ku do t’i marrim këto të hyra, se janë të hyra vetenake dhe e hyra kryesore është tatimi në pronë, jo vetëm në komuën tonë, por në të gjitha komunat e Republikës sipas legjislacionit në fuqi”, vijoi Latifi.
Latifi tha se Komuna e Rahovecit për tri vite rresht nuk e ka rritur normën e tatimit në pronë, duke e mbajtur në nivelet më të ulëta që e lejon ligji.
Kryetari i Rahovecit tha se faturat e këtij viti me rritje, rrezikojnë që të ulin numrin e qytetarëve që do të paguajnë tatimin, prandaj po presin që kjo çështje të ngrihet nga niveli qendror dhe të gjendet një zgjidhje edhe përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës.
“Do të punojmë që të ndërpritet ky proces për shkak të gjendjes socio-ekonomike dhe e ftojmë qeverinë të reflektojë… 45:51 Më fal qysh me fal sepse si bie të pagojë askush në komunën tonë, sidomos në fshatra, të zbatojmë vendimin aktual (faturat me rritje), që jemi të obliguar të zbatojmë vendimet e qeverisë, atëherë njerëzit pakësohen, shumë më pak do të paguajnë, tatimi në pronë është obligativ, jemi të detyruar të ndjekim procedura përmbarimore dhe goditja për qytetarët është e rëndë”, tha Latifi.
Faturat e tatimit në pronë për vitin 2023, kanë shqetësuar qytetarët pasi ato janë rritur ndjeshëm pas rivlerësimit të pronës nga ana e Ministrisë së Financave. Ky debat ka bërë që partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare të përplasen për mënyrën se si duhet të dilet nga kjo situatë pa e rënduar xhepin e qytetarit.