Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se të gjithë punëtorët e sektorit publik, efektin e Ligjit të Pagave do ta shohin në muajin shkurt, duke e krahasuar pagën e muajit janar me atë të shkurtit.
Bajrami tha se rritja, siç e quajti ajo, e proklamuar e kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që është 40 për qind, sipas saj, nuk ekziston.
“Polici i lartë e ka rrogën 290 euro por e ka shtesën prej 180 euro në emër të pozitës dhe tash me ligjin e ri nuk e ka më shtesën por e ka pagën më të lartë për 180 euro që nënkupton se policit i ka mbetur paga e njëjtë”, është shprehur Bajrami në Klan Kosova.
Tutje, ajo tha se ka disa vjet që plot njerëz shpresat i kanë vu tek Ligji i Pagave, teksa tha se sot nga Kosova po ikje të profesionistëve, për dallim prej herave të tjera, që sipas saj, kanë ikur njerëzit e papunë.
“Ka disa vite që plot njerëz i kanë vu shpresat tek ky ligj. Jo vetëm 82 mijë zyrtarët e sektorit, pasi cdo herë që ka pasur lëvizje të pagave është një lloj presioni që shkaktohet te sektori privat dhe ka lëvizje gjithashtu”.
“Ka pasur ikje edhe herave të tjera por zakonisht kanë ikur të papunët, por sot ne në diskutim me biznese bëhet e ditur se ka ikje të profesionistëve”, është shprehur Bajrami.