SHBA paralajmëron Turqinë për eksportet që mund të forcojnë Rusinë në luftë

SHBA paralajmëron Turqinë për eksportet që mund të forcojnë Rusinë në luftë
Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Turqinë kundër eksportimit të kemikateve, mikroçipave dhe produkteve tjera në Rusi, të cilat mund t’i përdorë Moska në luftën e saj në Ukrainë.

Brian Nelson, zyrtar i Departamentit amerikan të Thesarit, ka vizituar përgjatë javës Qeverinë turke dhe zyrtarë të sektorit privat, duke u bërë thirrje për më shumë qarkullim në bllokimin e qarkullimit të mallrave të tilla.

Në takimet e zhvilluara në Ankara dhe Stamboll, Nelson dhe delegacioni i tij, kanë përmendur eksportet në Rusi që kanë vlerë miliona dollarë.

“Nuk është befasi që Rusia vazhdimisht synon të shfrytëzojë lidhjet historike me Turqinë”, kanë thënë autoritetet amerikane.

“Pyetja është se si do të përgjigjet Turqia”.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, kundërshton sanksionimin e Rusisë dhe mban raporte të mira edhe me Ukrainën.

Perëndimi ka vendosur sanksione dhe ka kryer kontrolle të eksporteve drejt Rusisë, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, gati një vit më parë.

Megjithatë, zinxhirët e furnizimeve nga Hong Kongu dhe Turqia kanë mbetur të hapur.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar në dhjetor të vitit të kaluar, se pajisje elektronike në vlerë të 2.6 miliardë dollarëve janë eksportuar në Rusi në periudhë shtatëmujore, përkatësisht deri në fund të muajit tetor.

Produkte në vlerë të 777 milionë dollarëve janë prodhuar nga kompanitë perëndimore, çipat e të cilave janë gjetur në sistemet ruse të armatimit.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Related Articles