Kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024 po afrohen. Muaji mars do të jetë fillimi i ciklit kualifikues për Kosovën, ku Dardanët do t’i luajnë dy ndeshje, kundër Izraelit si mysafirë dhe më pas si vendas kundër Andorrës.
Marsi për Kosovën është i veçantë për faktin se shënohet Epopeja e UÇK-së dhe ditëlindja e Komandantit Legjendar.
E duket se edhe trajneri francez, Alain Giresse tashmë është lidhur shumë me historinë e Kosovës dhe në prag të ciklit kualifikues ka filluar të frymëzohet me këngën e komandantit Adem Jashari, derisa mbesat e tij i ka veshur me kostumet tradicionale shqiptare.
Ai në videon e siguruar nga “Futbolli.info” shihet duke vozitur nën ritmin e këngës së Shkurte Fejzës kushtuar komandatit legjendar, teksa ai i ka dërguar një mesazh edhe drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti: ‘Përshëndetje Muki, shpresoj të jesh mirë. Shihemi së shpejti. Gjithmonë me Kosovën’.
Giresse ditë më parë dha një intervistë për mediat franceze, ku theksoi se grupi kualifikues i Kosovës nuk është i lehtë, porse do të hyjnë në këtë fushatë me besim se mund të arrijnë kualifikimin në Evropian.