Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar demostratën e 10 shkurtit 2007 ku humbën jetën Arben Xheladini dhe Mon Balaj.
Kurti në shkrimin e tij thotë se dhjetëra mijëra qytetarë demonstruan para 16 vjetëve e në ballë të tyre ishte Adem Demaçi në moshën 71 vjeçare.
“232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë s’shihej prej gazit të shumtë lotsjellës. Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë kurse 80 demonstrues të tjerë u plagosën rëndë e lehtë. Hysni Hyseni Doda e humbi syrin, Mustafë Nerjova e ka ende sot një pjesë plastike në kafkën e kokës kurse Zenel Zeneli e mbanë plumbin akoma afër zemrës sepse nuk do të arrinte t’i mbijetonte operacionit kirurgjik. Doda i Prizrenit ka vdekur para tri vjetëve kurse Zenel Zeneli dhe Mustafë Nerjova janë këtu sot me neve”, shkruan Kurti.
Tutje Kurti thekson se policët e UNMIK-ut shfrytëzuan imunitetin ndërkombëtar, ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka ngelur t’i përgjigjet ministrisë sonë të drejtësisë.