Ekipet e shpëtimit në Turqi kanë nxjerr të gjalla nga rrënojat dy gra, pasi ato kishin qenë të bllokuara për 122 orë, thanë autoritetet të shtunën.
Nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit, numri i viktimave në Turqi dhe Siri ka arritur në mbi 24.150.
Një ditë më herët, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se autoritetet duhej të kishin vepruar më shpejt pas kësaj fatkeqësie natyrore.
Gjashtëdhjeteshtatë persona janë nxjerrë nga rrënojat në 24 orët paraprake, tha zëvendëspresidenti turk, Fuat Oktay, gjatë një adresimi në orët e vona të së premtes.
Rreth 80.000 persona janë duke u trajtuar në spitale, ndërkaq 1.05 milion persona anë mbetur pa shtëpi, tha Oktay.
“Qëllimi ynë kryesor është të sigurohemi që ata t’i kthehen jetës normale, duke u ofruar strehim brenda një viti dhe duke ua shëruar dhimbjen sa më shpejt që të jetë e mundur”, theksoi Oktay.
Në Siri, që po ashtu u godit nga tërmetet prej 7.8 dhe 7.5 ballësh, presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka realizuar vizitën e parë në zonat e prekura nga tërmeti. Siç ka raportuar media shtetërore siriane, ai së bashku me gruan e tij Asma, kanë vizituar një spital në Alepo.
Qeveria e tij ka miratuar ndihmën humanitare për gjithë linjën e frontit në luftën civile 12-vjeçare, një lëvizje kjo që mund të ndihmojë miliona njerëz që kanë nevojë urgjente për ndihmë.
Tërmeti i së hënës prej 7.8 ballësh – që u pasua nga disa tërmete të tjera të fuqishme – në Turqi dhe Siri, është fatkeqësia e shtatë më vdekjeprurëse e këtij shekulli.
Një tërmet me magnitudë të ngjashme në Turqi më 1999 kishte vrarë mbi 17.000 persona.