Mbi 12 milionë € dëme – “Nesër i përcjellim qeverisë raportin e vlerësimit të vërshimeve”

Mbi 12 milionë € dëme – “Nesër i përcjellim qeverisë raportin e vlerësimit të vërshimeve”

Mbi 12 milionë është shuma që komuna e Skenderajt kërkon nga Qeveria e Republikës për kompensimin e dëmeve, pas vërshimeve që ndodhën para një muaji.

Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka thënë për “Indeksonline” se janë në fazën finale të deponimit të kërkesës për ekzekutivin.

“… janë edhe do formularë zyrtar që duhet me i plotësu, të dhënat e dëmeve, ashtu siç thotë Ligji për Fatkeqësi Natyrore. Besojë nesër kryhet dhe i përcjellim Qeverisë, pastaj presim”, u shpreh ai.

Përpos ndihmës nga Qeveria Kurti, Nura përmendi se kanë marrë ndihma të konsiderueshme edhe nga qytete të ndryshme.

“Përpos komunave që po na ndihmojnë, Prizreni, Dragashi dhe disa komuna të tjera. Në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal e kemi evidentuar raportin e vlerësimit detal mbi 12 milionë euro dëme”, ka thënë ai.

Ndryshe, ministri i Financave, Hekuran Murati, në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se do t’i kompensojnë dëmet për qytetarët të cilët janë dëmtuar nga vërshimet e fundit në disa komuna të Kosovës.

Ai ka thënë se ende janë duke i pritur ato raporte të vlerësimeve të dëmeve nga komunat, derisa shtoi se tashmë ato kanë filluar t’i dërgojnë ato në komisionet vlerësuese.

“Kryeministri e ka dhënë zotimin, ashtu sic ka thënë dhe do mbahet, ne si qeveri do t’i qëndrojmë pranë familjeve që janë të dëmtuara, si MF ne presim vlerësimet nga komisionet, dhe mesa mësova tek tash komunat i kanë miratuar dhe po i përcjellin në komision vlerësues, i cili e sjellë faturën te qeveria për t’u bërë kompensimet e nevojshme, kjo është procedura”, ka thënë ai.

Kurse, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), kërkoi nga niveli qendror t’i lejojë komunave ta rishikojnë buxhetin, për të shikuar mundësinë që të investojnë mjetet për dëmet nga vërshimet.

Related Articles