Ka dalë sot para gjykatës 77-vjeçari, Shefki Bylykbashi, i cili akuzohet për vrasjen me sende të forta të djalit të tij, Hamdi Bylykbashi, në Maliq.
Me kokën ulur mbi tavolinë dhe i shqetësuar, është shfaqur i moshuari gjatë seancës së sotme ku do të njihet me masën e sigurisë.
‘Çfarë doni, ça jam i mbaruar nga trutë.’- dëgjohet të thotë ai në sallën e gjyqit.
Ndërkaq mësohet se në sallën e gjyqit nuk është i pranishëm asnjë familjar i tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e shtëpisë. Pas një konflikti me të atin, 50-vjeçari Hamdi Bylykbashi ka dashur ta hedhë atë në pusin e ujit në oborr. Për pasojë 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç që e përdorte për të thyer gurë. Për shkak të plagëve të marra, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit në spitalin e Korçës.