Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka njoftuar se njëri nga të vdekurit në aksidentin e së mërkurës në rrugën Shtime-Ferizaj ishte punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë.
Aliu, këtë e bëri të ditur përmes një shkrimi në Facebook, ku u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Pa fjalë, të tronditur nga aksidenti i sontëm në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën 4 bashkëqytetarë, dy prej tyre nga fshati Dremjak i Ferizajt e dy nga Komuna e Shtimes, në mesin e tyre edhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt”.
Po ashtu, Aliu uroi shërim të shpejt edhe për të lënduarit e tjerë nga ky aksident.
“Në këto momente dhembje e pikëllimi të thellë, jemi me familjet e tyre, për t’i shprehur ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e më të dashurve të tyre në këtë aksident tragjik. Ngushëllime të sinqerta familjeve Behluli, Muhadini e Isufi! Lutemi për shërim të shpejt të të lënduarve nga ky aksident!”, ka shkruar Agim Aliu.