Që nga java e kaluar, Ambasada e Kosovës në Australi ka mbetur pa asnjë përfaqësues diplomatik. Hajdin Abazi, ambasadori tashmë i shkarkuar me dekret të Presidentes Vjosa Osmani, ishte diplomati i vetëm i shtetit kosovar në këtë vend të largët të oqeanisë.
Ish-ambasadori Abazi, i cili u shkarkua me arsyetimin se është emëruar si ambasador me çelës politik, e ka konfirmuar për Reporteri.net se me lirimin nga detyra e tij, Ambasada e Kosovës në Kanberra pa diplomatë të çfarëdo gradeje.
Sipas tij është me këtë vendim të Presidentes Osmani është bërë një gabim i pashembullt.
“Rasti i Ambasadës sonë në Australi është tepër specifik dhe, me “lirimin tim nga detyra”, është bërë një gabim i pashembullt. Nga fundi i muajit shkurt 2021 kam mbetë i vetëm në Ambasadë, pra pa asnjë diplomat tjetër. Logjika e donte që MPJD të dërgonte një diplomat, që të plotësohej ky vakum ne Ambasadën e Kosovës në Australi”, tha Abazi për Reporteri.net.
Abazi, që është ish-përfaqësues i UÇK-së, shtoi se tashmë Kosova ka vetëm object të ambasadës, por pa ndonjë diplomat në Australi.
E një gjë e tillë për ish-ambasadorin do të komplikojë gjendjen shumë me shtetin e Australisë.
“Abazi tha se meqë shkarkimi i tij hy në fuqi ditën e nënshkrimit, atëherë Kosova ka vetëm object të Ambasadës, por pa diplomat. Në vend të kësaj, më vjen mua Dekreti për ndërprerje të mandatit përgjysmë. Duke qenë i vetëm, Ambasada mbetet pa diplomat fare! Po qe se shihet juridikisht, duke qenë se Dekreti për “lirim nga detyra” hyn ne fuqi ditën e nënshkrimit, kjo i bjen se kemi objekt të Ambasadës, por pa asnjë diplomat. MPJD duhet të veprojë me urgjencë që me vendim ta sanksionojë se unë do të jem ne funksion deri sa te vie diplomati tjetër – përndryshe gjendja komplikohet shumë me shtetin e Australisë”, deklaroi Abazi.
E kundër dekreteve të Presidentes Osmani, ish-diplomati kosovar do t’i ndjek të gjitha udhëzimet juridike, ndonëse thotë se si institucionalist që është, do të respektoj këtë vendim.
“Ndonëse e konsideroj vendim të gabuar dhe të pamenduar mirë, unë do ta respektoj Dekretin sepse jam institucionalist, dhe do t’i ndjek të gjitha udhëzimet juridike nga MPJD, me të vetmin qëllim që të mos njolloset më shumë, ndonëse dëm është bërë, imazhi diplomatik i Kosovës, pasi që shumë lehtë “lirimi nga detyra” i diplomatit të vetëm mund të lexohet edhe si shenjë e mbylljes së ambasadës apo shkëputje e marrëdhenieve diplomatike”, tha Abazi.
Kujtojmë që ditë më parë me anë të dekreteve të Presidentes Osmani e pas rekomandimeve të MPJD-së u shkarkuan 12 ambasadorë të Kosovës.
Kundër këtyre vendimeve, u deklaruan partitë opozitare, PDK e AAK, të cilët e vlerësuan si hap të ngutshëm.