Në sheshe e lagje të kryeqytetit, qentë endacakë janë prezentë gjithë kohën.
Ndonëse i kanë parë qytetarë e komunarë, ende kush deri këtë vit nuk ka bërë numërimin e tyre.
Atë tani e bëri Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Dhe sipas tyre, në gjithë territorin e komunës së Prishtinës, janë 2926 qen endacakë.
Ndërsa, vetëm 12% e qytetarëve prishtinas mbajnë qen në shtëpitë e tyre.
Por këta persona ua hedhin në rrugë këlyshët, çka është një fakt shqetësues për Fondacionin.
Në gjithë këtë raport u gjet se 91% e qenve të identifikuar në rrugë gëzojnë mirëqenie të duhur.
Por me këtë shifër nuk po pajtohen Komuna e Prishtinës.
Sipas Bajram Gecajt, këshilltar i kryetarit Përparim Rama, në kryeqytet ka më shumë qen endacakë, kjo duke u nisur nga trajtimi që ky institucion iu bënë këtyre kafshëve.
“Në vitin 2022 i kemi trajtuar 2000 qen endacakë, dhe i kemi ende 6 lote, 6 veterinerë që janë duke u marrë me qen endacakë. Deri tash kemi kontrata për trajtimin e 5000 qenve endacakë. Trajtimi i tyre do të bëhet edhe këtë vit, i pjesës së mbetur”, tha Gecaj.
Bajram Gecaj i tha emisionit “Ju flet Prishtina” se Komuna vazhdimisht po merret me trajtimin e këtyre kafshëve, dhe një zgjidhje e mirë është ndërtimi i strehimores për këto kafshë, e cila shumë shpejt do të bëhet funksionale, sapo të përfundojë krijimi i infrastrukturës së duhur.