Në dhjetor të vitit të kaluar, është vënë gurthemeli për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve në Komunën e Podujevës, por punimet nuk janë duke u zhvilluar.
Nga komuna thanë se shkak për ndaljen e punimeve ishin kushtet atmosferike, derisa shpresojnë që stacioni i autobusëve të jetë i gatshëm vitin e ardhshëm.
Ministria e Zhvillimit Rajonal ka ndarë 27 mijë euro këtë vit për ndërtimin e këtij stacioni, derisa kjo shumë nga ministria pritet të rritet vitin e ardhshëm.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, deklaroi se punimet për stacionin e autobusëve në Podujevë nuk kanë vazhduar për shkak të temperaturave të ulëta. Sipas tij, punimet priten të përfundojnë përgjatë vitit 2024.
“Stacioni i autobusëve ka filluar si një nevojë e madhe për qytetin e Podujevës, për shkak se stacioni aktual nuk i plotëson kushtet e stacionit. Është një stacion që në bazë të kategorive të stacioneve renditet te stacionet më të ulëta. Prandaj, ne e kemi parë të domosdoshme ndërtimin e një stacioni të ri”, u shpreh Selimi.
I pyetur nëse pozicioni ku kanë filluar punimet për stacionin e ri të autobusëve, është i duhuri edhe për qytetarët që jetojnë larg qytetit, Selimi tha për KosovaPress se ajo pjesë është menduar të jetë pjesa e duhur për ndërtim.
Ndërkaq, për ata qytetarë që jetojnë në një distancë të largët me stacionin, është planifikuar për linjën urbane, gjë që ua mundëson atyre lëvizjen.
Selimi tha se përveç vonimit të kontratës nga operatorët, nuk ka pasur probleme tjera lidhur me ndërtimin e stacionit. Ai tregoi se Ministria e Zhvillimit Rajonal ka ndarë 27 mijë euro këtë vit për ndërtimin e stacionit të autobusëve në Podujevë, derisa kjo shumë nga ministria, pritet të rritet gjatë vitit të ardhshëm.
Më 16 dhjetor të vitit 2022 është vënë gurthemeli për ndërtimin e stacionit të autobusëve në Podujevë./Kosovapress