Sot do t’u jepet lamtumira e fundit Adonis Demirit, 27-vjeçarit dhe vajzës së tij tremuajshe, Dolora, të cilët u gjetën pa shenja jete të dielën në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Ceremonia e varrimit të dy të ndjerëve do të mbahet pas faljes së namazit të Ikindisë, në varrezat e fshatit Demiraj.
Lajmi për vdekjen e tyre u bë i ditur nga familjarët përmes një njoftimi mortor, ku njoftuan se ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 3 nëntor 2026.
Ndërkohë, lidhur me rastin tragjik është arrestuar Brahim Demiri, 65-vjeçar, babai i Adonisit dhe gjyshi i foshnjës.
Ai dyshohet se pas një konflikti fizik e ka privuar nga jeta të birin, ndërsa edhe mbesa e tij, foshnja tre muajshe, ishte gjetur pa shenja jete.
Të hënën, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit.
Rasti po hetohet nga organet kompetente, ndërsa rrethanat e plota të vdekjes së foshnjës dhe të 27-vjeçarit mbeten objekt i hetimeve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
