Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka komentuar largimin e 13 ambasadorëve nga misionet diplomatike në vende të ndryshme të botës.
Abazi në “Debat Plus” thotë se qeveria është në kërkim të njerëzve që do ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme në arenën ndërkombëtare. Ai thotë se vet ambasadorët e shkarkuar “e kanë futur veten në një thes” kur e kanë pranuar emërimin përmes çelësit politik.
“Sistemi politikë është i tillë që në momentin që qeveria shkarkohet, largohen edhe të emëruarit politikë. Diplomatët e karrierës janë të tillë që qëndrojnë pavarësisht ndryshimeve politike, por ambasadorët e emëruar politikë vet e kanë marrë rrezikun që me ndryshimin e qeverisë ndryshohen edhe ata”, tha ai.
“Të gjitha konsullatat që janë në Gjermani nuk varen prej një njeriu [ambasadorit]. Varen prej njerëzve që janë të punësuar aty dhe vullnetit të tyre. Çështja tjetër. Është pandemi dhe të gjitha komunikimet po bëhen online”.
Deputeti i LVV-së thotë se është shumë e rëndësishme që Kosova të përfaqësohet diplomatikisht në vendet e rëndësishme nga ku mund të ketë edhe investime.
“Nuk kemi përfaqësi në Danimarkë që është shumë me rëndësi. Nuk kemi përfaqësi as në Holandë. Nuk kemi përfaqësi diplomatike as në Pakistan, i cili është vend ku janë të gjitha përfaqësitë e vendeve të fuqishme islamike. Pakistani është vend që na ka përkrahur që nga dita e parë në rrugën tonë të pavarësisë”, tha ndër të tjera Haki Abazi.