Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në seancën solemnte tha se të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri.
“Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të Kosovës të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë.”
Ai tha se Presidenti Rugova thoshte për Adem Jasharin dhe familjen e tij se po e mbronin pragun e shtëpisë.
“Kjo thirrje e tyre u dëgjua dhe nëpër botë, mes aleatëve tanë, që në orët tona më të rënda, na u gjindën në krah. Sepse Adem Jashari, familja e tij, siç dhe thoshte Presidenti Rugova, po mbronin pragun e shtëpisë. Dhe në gjithë shenjtërinë e mbrojtjes së pragut të shtëpisë, qëndronte dhe bindja kokëforte e një populli të tërë për të kërkuar lirinë dhe vendin e barabartë mes popujve të tjerë nëpër botë me çdo çmim. Një popull që e do lirinë, siç e donte Adem Jashari dhe familja e tij, do ta fitonte atë një ditë.” – tha Abdixhiku.