“Kosova ka ofertë dhe klimë të mirë për investime”

“Kosova ka ofertë dhe klimë të mirë për investime”
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë vizitës zyrtare në Kroaci, ditën e dytë të takimeve e nisi me takimin me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Ministrja Gërvalla vuri në pah dhe vlerësoi lart faktin që Kroacia si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe si mik tradicional i Kosovës, mbështet pa rezervë Kosovën në rrugën e saj integruese euro-atlantike dhe në anëtarësimet e reja ndërkombëtare të saj.

Temë e veçantë e takimit, siç informoi ministria, ishte bashkëpunimi ekonomik dhe investimet kroate në Kosovë. Kosova mirëpret investimet kroate dhe ka një ofertë dhe klimë të mirë për investime në shumë sektorë.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për paqe e stabilitet rajonal dhe promovon fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kroacisë në shumë fusha të interesit të përbashkët është me prioritet për Qeverinë e Kosovës.”, u bë e ditur në komunikatë.

Ministrja Gërvalla falënderoi kryeministrin Plenkoviç për mbështetjen e tij personale në Forumin Ekonomik shumë të suksesshëm mes Kosovës dhe Kroacisë të organizuar javë më parë në Prishtinë.

Related Articles