Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar ka përplasur deputetët e partisë në pushtet. Debati nisi pas deklaratës së deputetit të Vetëvendosjes, Eman Rrahmanit, të cilit i nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, iu kundërvu edhe me një rrëfim personal. Bogujevcit i doli në krah depututja Tinka Kurti. Opozita kishte vërejtje për dy nene. Në fund, projektligji s’kaloi në mungesë kourumi dhe u bartë për seancën e ardhshme, raporton Gazeta Enigma.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i ka dalë sërish kundër partisë së tij. Pas Projektkodit Civil, tash shkak është bërë Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar, që u prezantua në seancën e djeshme nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Saktësisht, Rrahmani doli kundër nenit që parasheh që të drejtën për fertilizim të asistuar mjekësor (FAM) mund ta shfrytëzojnë edhe gratë e pamartuara.
Ai i kërkoi Ministrit Vitia që ta tërheq këtë projektligj dhe të rishikohet, meqë tha se në formën që është aktualisht “cenon familjen”.
“Parimisht, mendoj që duhet të rishikohet ky projektligj i propozuar nga Ministri, për shkak që cenon familjen, familjen të cilën neve, ose të paktën unë personalisht besoj dhe angazhohem për mbrojtjen e vlerave të saj. Njëri prej neneve ku këtu sqarohet se e drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara, por edhe çështje tjera që u folën nga deputetë parafolës. Une personalisht nuk do të marr pjesë në këtë votim dhe kisha kërku nga Ministri që ta tërheq dhe ta diskutoj dhe t’i merr parasysh kritikat e deputetëve”, tha Rrahmani.
Deklarata e Rrahmanit e nxori në foltore bashkëpartiaken e tij, nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevcin.
Ajo ndau edhe një përvojë personale të saj, pas së cilës vërshuan reagimet në rrjete sociale.
“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë, që unë përderisa nuk e kam pas mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore ose çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë. Edhe unë duhna me qenë e limitume, në bazë të asaj që e the, vetëm pse një shoqni mendon që një normë duhet me qenë në një formë të caktume. Edhe përderisa unë kam dashtë me u ba nanë, për mua ka qenë me rëndësi çfarë ka ofru shkenca për me ma mundësu atë të drejtë, e jo me ma determinu një burrë, që unë duhna doemos me pas një burrë me të cilin unë martohem, për me e pas mundësinë me u ba nanë”, tha Bogujevci.
Për të pëmbyllur replikën e saj, Bogujevci tha se është koha që gratë të vendosin për jetën e tyre, pa u imponuar.
“Jo të gjithë mundemi me zgjedh dhe e kemi mundësinë me zgjedh në mënyrën qysh e përcakton shoqnia me e pas mënyrën e jetesës. Kështu që duhet t’i kemi parasysh edhe këto elemente. Ka ardh koha t’i lajmë gratë rehat të vendosin për jetën e tyre, pa i imponu vlera të cilat mendojmë se janë vlerë shoqërore”, përfundoi Bogujevci.
Reagimi i Bogujevcit s’ndikoi që bashkëpartiaku i saj të zbutet në qëndrimin e tij, por tha se e mirëkupton dhe respekton.
“Natyrisht që e mirëkuptoj dhe e respektoj qëndrimin e deputetes Saranda, mirëpo në asnjë mënyrë as qëndrimet e deputetes Bogujevci e as dikujt tjetër nuk ndikojnë në mendimet e qëndrimet e mia edhe për atë se për çka jam këtu. Është e drejtë, natyrisht, që edhe me propozu gjëra të tilla, por është e drejtë edhe e imja që si deputet të kundërshtoj dhe të paraqes vlera të tjera që unë i mendoj që janë si vlera. Natyrisht ashtu siç nuk kemi të drejtë askush t’i ndalojmë askujt që të bëhet nënë, as fëmijëve nuk kemi të drejtë që t’ua ndalojmë të kenë babë”, tha Rrahmani.
Në krah të Bogujevcit doli edhe deputetja Tinka Kurti, e cila tha se gratë vendosin për trupat e tyre.
“Askush nuk ka të drejtën, ashtu siç nuk ka të drejtë me e detyru dikënd me e mbajtë një shtatzëni të padëshirueshme, ashtu as nuk mundet me aludu mbi të drejtën që me ia heq të drejtën dikujt me u bë nënë. Pra, as burrat e as dikush tjetër dhe poashtu familja nuk e ka vetëm një formë dhe asnjë familje nuk i ka anëtarët e njejtë të familjes. Pra, duhet me u mësu me pranu që gratë vendosin për trupat e tyre dhe ju takon vetëm atyre kjo e drejtë”, tha Kurti.
Vërejtet e opozitës për Projektligjin
Për këtë projektligj, nga opozita foli vetëm deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili tha pjesa ku parashihen ndëshkimet, bien ndesh me Kodin Penal.
“Ky projektligj te ndëshkimet, momentalisht si është i propozuar nga Qeveria, është në kundërshtim me Kodin Penal. Psh. Nëse ndërprerja e shtatzanisë është vepër penale me Kodin Penal, me këtë proejktligj është vetëm kundërvajtje dhe ju e dini se nesër në systemin e drejtësisë, Gjykata për të akuzuarin e mundshëm e përdor Ligjin më te favorshëm për të akuzuarin dhe këtë rast do të shfrytëzohet ky projektigj dhe mund të kishte ndëshkime kundërvajtëse dhe jo penale për ata që dëmtojnë shëndetin publik”, tha Haxhiu.
Vërejtje kishte edhe për Nenin 31. Ai tha se caktimi i gjinisë duhet të ndalohet rreptësisht.
“ Aktualisht me këtë projektligj, lë mundësinë që te përcaktimi i gjinisë të vendosë një Komision që themelohet nga MSH. Mendoj që kjo çështje, me ligj duhet të ndalohet rreptësisht dhe nuk duhet lënë mundësinë e interpretimeve të ndryshme”, tha Haxhiu.
“Përcaktimin e gjinisë e ka vetëm Zoti dhe askush tjetër. Prandaj, jam këtu për këtë çështje që këtu s’duhet të ketë ndërhyrje prej dorës së individit në përcaktimin e gjinisë,për asnjë arsye. Duke e ditur edhe mentalitetin e popullatës tonë, që është i prirur më shumë që te përcaktimi i gjinisë të anojë ka gjinia mashkullore, andaj brenda disa viteve për shkak të masave kundërvajtëse të dobëta mund të ketë ndryshim në strukturën gjinore të popullatës që do të ishte dëm shumë i madh”, deklaroi deputeti i PDK’së.
Shqetësimit të Haxhiut iu përgjigj Ministri Arben Vitia, i cili tha se ndalohet caktimi i gjinisë, përveç në rastet kur fëmija rrezikon të lindë me sëmundje që janë edhe vdekjeprurëse.
“Te Neni 31, ndalohet dmth ndalohet përcaktimi i gjinisë. Mirëpo, ashtu siç e dijmë janë disa sëmundje të trashëgueshme që barten vetëm te njëra gjini dhe vetëm në raste të tilla rrezikon që fëmiu të lindë me sëmundje që janë edhe vdekjeprurëse. Kjo ka qenë arsyeja…janë qartë të përcaktuara, sëmundje hereditare me rrezikshmëri të lartë”, sqaroi Vitia.
Në fund, Projektligji s’kaloi në lexim të parë në mungesë kourumi. Meqë disa deputetë të pushtetit s’morën pjesë në votim. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se ky projektligj bartet për seancën e ardhshme.
Zhurma për diçka që është e rregulluar me UA nga viti 2013
Reagimi i djeshëm i deputetit Eman Rrahmani në seancën e djeshme u bë për diçka që është e rregulluar me Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, të para dhjetë vitesh.
Sipas Udhëzimit Administrativ për frytnimin e asistuar mjekësor të vitit 2013, të drejtë shfrytëzimi të kësaj procedure kanë edhe femrat që s’janë të martuara.
“Të drejtë shfrytëzimi të procedurës së FAM kanë edhe femrat që nuk janë të martuara nëse mjekimi paraprak është i pasuksesshëm të cilat sipas moshës dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore, janë të afta për frytnim dhe për përkujdesje prindërore. Kjo e drejtë realizohet vetëm pas vendimit të Komisionit FAM”, parashihet me këtë Udhëzim, që është aktualisht në fuqi.