Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, ka rënë në pranga dje një burrë në Fushë Kosovë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin në Polici e ka denoncuar nëna e 11-vjeçares, e cila ka deklaruar se i shoqi e ka rrahur të miturën duke e goditur me shuplakë në fytyrë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën penale ‘Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.