Ardijan Gjuraj njihet si lideri i grupit të dyshuar për vepra terroriste. Gjuraj u arrestuar në tetor të 2021-ës vet i 5-ti. Në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën ndaj tyre, shkruan Insajderi.
Sipas hetueseve të operacionit “Mjegulla” grupi i Gjurajt në krye me të po planifikonin një sulm terrorist.
Emri i tij është i njohur qysh më herët për autoritetet kosovare të zbatimit të ligjit por edhe për institucionet jashtë Kosovës, më theks të veçantë ato gjermane. Kjo pasi Gjuraj një pjesë të jetës së tij e kishte kaluar në shtetin gjerman.
Derisa vitet kalonin, ai publikisht doli duke thënë se kishte filluar të rehabilitohej e madje që po planifikonte hapte një biznes në Kosovë. Më konkretisht një mishtore “hallall” në qytetin e Pejës.
Krejt këto ndodhën derisa u kuptuan bisedat me një pjesëtarë të ISIS-it, i cili në dosjen fillestare të Prokurorisë përshkruhet vetëm si Abu Tahlha Muhaxhiri.
I arrestuar, akuzuar e paraburgosur, por në fund i liruar
Historia e Ardijan Gjurajt në aktakuzën e re që është deponuar kundër tij, sipas Prokurorisë Speciale lidhet edhe me sulmin terrorist në Vjenë, për të cilin InDoks dy vite më parë pati transmetuar dokumentarin “Evropa nën Terror”.
Nga Prokuroria, Ardian Gjuraj tash akuzohet edhe për “mos lajmërim i përgatitjes së veprave penale’’. Kjo pasi që, sipas Prokurorisë i njëjti nga muaji tetor 2020 e deri më 02.11.2022 ka qenë në dijeni se i pandehuri Kujtim Fjezullahu ishte duke përgatitur akte terroriste në Vjenë të Austrisë, por nuk e ka denoncuar.
Kujtojmë që Gjuraj ishte arrestuar më 12 dhjetor 2015 në Gaziantep të Turqisë duke shkuar për në Turqi, dhe ishte akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm.
Ai ishte shpallur fajtor më 12 shkurt të vitit 2018, ku ishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim. Në dënim atij i ishte llogaritur edhe koha e qëndrimit në paraburgim që nga data 5 shtator 2016.
Por Gjykata e Apelit më 7 prill të vitit 2018 e kishte liruar nga akuza Ardian Gjurajn, i akuzuar për vepra penale që lidhen me terrorizëm.
Pasi Apeli e liroi nga akuzat për terrorizëm, Ardian Gjuraj e ndërroi mbiemrin në Qerkinaj.
Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.
Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë.
Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it
Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk. Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.
Krejt historia, sipas Prokurorisë nis në vitin 2019 kur ata interceptojnë komunikime të Ardijan Gjurajt me atë që ata e quajnë komandant i lartë i ISIS-it, Abu Talha Muhaxhiri me të cilin po fliste Gjuraj në gjuhën angleze. Aty Gjuraj i shpjegonte se sa i rëndësishëm për këtë grup është imami Nuhredin Skenderi.
Për Gjurajn dhe grupin e tij, InDoks kërkoi një intervistë nga prokurori i rastit, por nuk ka pranuar të flas para kamerës. Të vetmin komunikim prokuroria e ka pasur përmes një njoftimi publik.
Prokuroria ka dalë me një njoftim që aktakuza është për veprat penale: përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues, por ata akuzohen tash edhe për diçka tjetër. Lideri i grupit, Ardijan Gjuraj po akuzohet se e dinte që Kujtim Fejzullahu do të kryente sulm terrorist në Vjenë të Austrisë, por nuk e lajmëroi.
Emisioni i plotë: A u parandaluan sulme terroriste në Kosovë?