Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se modeli i respektimit të të drejtave të pakicave në Kosovë, është më i mirë se të gjitha modelet që janë përmendur nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme t’i diskutojë elementet evropiane, por jo që shkelin Kushtetutën e vendit, raporton Gazeta Enigma.
Në një deklarim për media, pas diskutimit “Barazia, Barabarësia dhe Drejtësia” në kuadër të Javës së Gruas të martën, Osmani ka thënë se nuk pret që Serbia të ndryshojë në dialogun me Kosovën. Sipas saj, Serbia kontribut të vetëm në këtë proces e ka pasur vënien e pengesave. Ajo ka thënë se pret që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, që ta bindë që “takimi i Ohrit është jashtëzakonisht i rëndësishëm e që nëpërmjet kësaj marrëveshje të zgjidhen shumë çështje që hapin rrugë drejt njohjes reciproke”.
“Sa i përket modeleve evropiane që janë prezantuar, të 15-at s’kanë të bëjnë me asociacione. Janë modele të drejtash për pakicat. Në disa jepen më shumë të drejta, e në disa më pak sesa që tashmë u jep Kosova komuniteteve joshumicë. I kemi analizuar të gjitha dhe ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por do të thosha që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato 15, është ai që ka aktualisht Kosova. Jemi për të diskutuar elemente të tilla, në mënyrë që në Kosovë të kemi gjithëpërfshirje, diversitet e multietniciteti të jetë vlera jonë kushtetuese”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova “refuzon diçka që rrezikon mënyrën e funksionimit të sistemit tonë demokratik”.
Për dakordimin e Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt për përmbajtjen e Planit evropian, Osmani ka thënë se neni 7 i saj është “koncesioni që ka pranuar Kosova”.