Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ndodhet në Kigali të Ruandës në kuadër të punimeve të Kongresit të 73-të të FIFA-s, ka përcjellë përmes profilit të tij në Instagram momentet nga turneu i futbollit i FIFA-s me ekipet e konfederatave.
Ai ka qenë pjesë e ekipit të UEFA-s në këtë turne, i cili u zhvillua në stadiumin e sapo inauguruar “Kigali Pele Stadium”, teksa ka kaluar momente së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, me të cilin ka raporte të shkëlqyeshme.
“Gjithmonë është kënaqësi të jesh afër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Kësaj radhe ishim kundërshtarë, por vetëm në fushën e gjelbër, ku pata nderin të jem pjesë e ekipit të UEFA-s në turneun e konfederatave që zhvillohet tradicionalisht në prag të Kongresit të FIFA-s. Kësaj radhe na bëri bashkë kryeqyteti i Ruandës, Kigali, ku nesër presidenti Infantino si kandidat i vetëm do të votohet për mandatin e ri katërvjeçar në krye të FIFA-s. Bashkërisht përjetuam momente mjaft emocionuese dhe relaksuese në fushën e gjelbër të stadiumit të sapo inauguruar “Kigali Pele Stadium”, e ku me ekipin e UEFA-s triumfuam në dy ndeshje, derisa Zvonimir Boban ishte lojtari dhe golashënuesi më i dalluar. Përshëndetje e veçantë për të gjithë ekipin e UEFA-s dhe miqtë e mi në Kigali!”, ka shkruar Ademi.