Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka komentuar raportin e Departamentit të Shtetit për Kosovën, duke thënë se ai “shpërfaq dështimin e Qeverisë”, raporton Gazeta Enigma.
Ai tha se ky raport tregon edhe për korrupsionin në qeveri dhe mosndëshkimin e tij.
“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaq dështimin e Qeverisë Kurti për të ndërtuar institucione kredibile, të përgjegjshme dhe të pakorruptuara, në njërën anë dhe në anën tjetër, dështimin për krijuar një ambient ku vajzat dhe gratë janë të sigurta. Raporti fakton korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin e rasteve të tilla, mungesën e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje apo dhunën seksuale, dhe ngre shqetësimin se si zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në sektorin publik”.
Krasniqi akuzoi Qeverinë Kurti për prodhim të skandaleve në të gjitha fushat, derisa ka përmendur edhe rastin e ambasadorit Martin Berishaj.
“Kjo është historia e vërtetë e kësaj Qeverie, e cila, në dy vitet e fundit ka prodhuar vetëm skandale që kanë prekur të gjithë sektorët: qeverisjen, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, diplomacinë e sigurinë. Padyshim, si emërues i përbashkët i cili vulos të gjitha këto gjetje që karakterizojnë Qeverinë Kurti, mbetet ambasadori Martin Berishaj, i cili, përkundër raportimeve, fakteve dhe akuzave, vazhdon të mbetet në detyrë pa dhënë asnjëherë llogari për miliona euro të shpërdoruara e të dyshimta”.
“Me Kurtin në qeverisje dhe Martinin si simbol të saj – raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen vazhdimisht!”.