Muriqi për kualifikimin në Evropian: Do ta bëjmë historinë bashkë

Muriqi për kualifikimin në Evropian: Do ta bëjmë historinë bashkë

Futbollisti, Vedat Muriqi është shprehur optimist për gjasat e kualifikimit të Kosovës në Kampionatin Evropian, raporton Gazeta Enigma.

Muriqi ka thënë se me përkrahjen e tifozëve do t’ia arrijnë qëllimit historik.

“Jemi duke u përgatitur me optimizëm prej ditës së parë. Jemi me fat që kemi lojtarë në formë. Grupi ynë nuk është i lehtë por kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Gjithsesi nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por këtë duhet ta bëjmë edhe me punë brenda fushës dhe jashtë fushës. Mendoj që kemi kualitet për dy pozitat e para që na e sigurojnë kualifikimin në Evropian”, ka thënë Muriqi për faqen zyrtare të FFK-së.

Ai ka thënë se Zvicra dhe Izraeli janë rivalët më të fortë në grup, por potencoi se do të tentojnë që të bëjnë surprizë.

“Me përkrahjen e tifozëve dhe të shtetit tonë, besoj se me shokët e mi brenda fushës do t’ia arrijmë qëllimit dhe do ta bëjmë historinë bashkë. Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht që kjo do të vërehet që nga ndeshja e parë. Normalisht duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore. Izraeli së bashku me Zvicrën janë rivalët më të fortë në grup dhe që parashikohet ta kalojnë grupin. Por, ne do të shkojmë atje ta bëjmë surprizën. Kur them surprizën e them në aspektin medial, ngase për neve nëse fitojmë atje nuk është surprizë sepse ne po shkojmë atje për fitore, pasi synojmë t’i fillojmë mbarë kualifikimet”, u shpreh ai.

“Me këtë kualitet që kemi besoj se do të arrijmë diçka që e kemi pritur për shumë vite. Na ka marrë malli për tifozët tanë ‘Dardanët’, të cilët na përkrahin anë e mbanë botës pa marrë parasysh se ku jemi. Dua që ata vetëm të kenë durim dhe të na përkrahin si gjithmonë”.

Ndryshe, Kosova gjatë këtij muaji do të luajë dy ndeshje, me Izraelin dhe Andorrën.

Related Articles