Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric Egger kanë diskutuar në lidhje me akordin e arritur në Ohër mes Kurtit e Vuçiqit me theks të veçantë për pikën që merret me personat e zhdukur me forcë në luftën e vitit 1998/99.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lajçak, përmes një postimi në Twitter.
“Kënaqësi që takova presidenten e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Mirjana Spoljaric Egger, me rastin e pranimit të detyrës së saj të re në Bruksel. Diskutuam për perspektivat dhe sfidat për zgjidhjen e rasteve të mbetura të Personave të Zhdukur në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në postim.
Në aneksin e publikuar nga BE-ja të shtunën, pas takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, u bë e ditur se edhe çështja e personave të zhdukur ishte e përfshirë në të.
“Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”, thuhet në aneks.