Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Pos drogës, të rinjtë shpesh sillen edhe me armë në brez, duke bërë kështu që të hasin në telashe me ligjin.
Një rast i tillë është zbuluar dje pasdite në rrugën ‘Ferid Curri’ në Prishtinë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë zonë, ka ndalur për kontroll një veturë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit në veturë janë gjetur sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë, një armë zjarri dhe një karikator me fishekë.
Njësia policore kanë sekuestruar gjërat e kundërligjshme në cilësinë e provave materiale, teksa shoferi i veturës është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin dhe ka pranuar se droga dhe arma janë të tijat.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.