Gjukanoviq: Kemi strategji për fitore, do t’i marr 40 mijë vota më shumë

Gjukanoviq: Kemi strategji për fitore, do t’i marr 40 mijë vota më shumë

Presidenti i Malit të Zi dhe kandidati presidencial i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq tha se synimi i tij është fitorja në raundin e dytë. Ai po ashtu paralajmëroi se më 2 prill do të ketë 40 mijë vota më shumë.

Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 19 mars, Gjukanoviq kishte 35 përqind të votuesve ose 120 mijë vota, shkruan N1.

Kundërshtari i tij, Jakov Milatoviq nga Lëvizja “Evropa Sad”(Evropa sot), ka pasur mbështetjen e 29 përqind të votuesve ose gjithsej 98 mijë vota.

“Ne kemi një strategji të qartë për të fituar raundin e dytë. Ne nuk mashtrojmë. Ne nuk përhapim iluzione, por llogarisim te votuesit ekzistues. Jam absolutisht i sigurtë se më 2 prill do të kemi një bilanc që do të mjaftojë për fitore”, tha Gjukanoviq, duke vlerësuar se “detyra e kundërshtarit të tij është rrëzimi i Millo Gjukanoviqit, jo zhvillimi i Malit të Zi”.

Gjukanoviq më herët tha se e dinte për “rezervarin” nga i cili do të nxirrte vota të reja, ndërsa analistët në Podgoricë vlerësuan se ai po llogariste në votat e pakicave në Mal të Zi, kryesisht boshnjakëve dhe shqiptarëve që votuan në numër të vogël në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Ka një rezervar të madh votash, sigurisht jo më pak se 40 mijë. Nuk po flas për diasporën dhe qytetarët vendas. E kam fjalën për persona që janë në listën zgjedhore. “Disa prej tyre janë këtu, disa jetojnë në një adresë tjetër, por janë shtetas të Malit të Zi me vendbanim në Mal të Zi”, tha Gjukanoviq.

Të enjten, kundërshtari i tij në raundin e dytë, Jakov Milatoviq mori mbështetjen e shumicës së partive politike të koalicionit që mundi Millo Gjukanoviqin në zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020, si dhe nga tre kandidatë presidencialë nga raundi i parë i zgjedhjeve – Andrija Mandiq, Goran Daniloviq dhe Aleksa Beçiq.

“Kandidatët e ‘Evropa tash’, Fronti Demokratik, Demokratët dhe Mali i Zi së bashku morën mbi 60 përqind të mbështetjes dhe mbi 80,000 vota më shumë se kandidati presidencial i DPS-së, Millo Gjukanoviq”, njoftoi më herët Lëvizja “Evropa Sad” e Milatoviqit.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar të mbahet më 2 prill dhe të drejtë vote kanë rreth 550 mijë votues.

Related Articles