Hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes që ndodhi para pak muajsh në lokalin ‘Kobra City’ në Prizren po vazhdojnë, ndërkohë që Policia është në kërkim të provave. Pronari i këtij lokali, Dibran Hoxhaj, i njohur si Kobra dhe të dyshuarit e tjerë, ndodhen akoma në paraburgim, derisa sot Krimet e Rënda kanë vazhduar me bastisje lidhur me këtë rast.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se sot, për të disatën herë me radhë, Krimet e Rënda kanë zbarkuar në shtëpinë e Kobrës, ku janë kryer kontrolle nën dyshimet se mund të ketë dëshmi që lidhen me vrasjen për të cilën po dyshohet ai.
Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një konfirmim zyrtar nga Policia, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje nëse janë sekuestruar prova gjatë aksionit të zhvilluar sot.
Ndryshe, më 2 mars, Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Hoxhajt dhe gjashtë të dyshuarve të tjerë, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi.
Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxhaj po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit tjetër, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.
“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxhaj, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.