Përfundon seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, vazhdon me 1 maj

Përfundon seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, vazhdon me 1 maj

Para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përfundoi së dhëni dëshminë e tij, edhe dëshmitari i katërt në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës.



Ky dëshmitar i mbrojtur i prokurorisë, pretendon se babai i tij ishte kidnapuar në Shqipëri dhe ishte keqtrajtuar si i burgosur për disa ditë në Kukës.

Ndër të tjera ai tha se Pjetër Shalën e kishte njohur vetëm gjatë kohës kur ishte kidnapuar dhe jo si rezultat i punës që bënte deri në vitin 1997 si polic.

Përveç kësaj, ai tregoi se vetë ka jetuar jashtë Kosovës dhe për ngjarjet rreth babait të tij ka mësuar nga familja.

Pjetër Shala është në paraburgim nga marsi i vitit 2021 dhe sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, akuzohet për “Krimet e pretenduara të kryera përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri)”.

Në aktakuzë pretendohet se kjo fabrikë përdorej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Me këtë dëshmitar ka përfunduar edhe seanca ndërsa gjykimi do të vazhdojë nga data 1 maj.

Related Articles