Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i është kundërpërgjigjur Adem Salihajt, i cili tha se Adem Jashari ishte “rugovist”.
Jasharaj tha se kjo nuk është e vërtetë dhe se për këtë gjë është shumë i sigurt. Sipas tij, intervenimi i NATO-s, erdhi për shkak të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Absolutisht s’ka qenë, unë jam anëtar i familjes i asaj lagje dhe e di për secilin , gjithë aktivitetet që i kemi fillu, i kemi fillu bashkë e di në plotëni kush ku ka qenë. Pse ka qenë lëvizje e madhe popullore, ka qenë s’duhet mohuar kontributi i askujt. Nuk pajtoj se falë asaj politike të asaj kohe është bërë intervenimi i NATO-s”, ka thënë ai.
Tutje Jasharaj, tha se ka incizime ku ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, bënte thirrje të ndaleshin bombardimet e NATO-s, në Serbi.
“E dimë edhe qëndrimin e Rugovës, ka bërë thirrje jo që ka bërë thirrje të ndalet lufta, por janë incizimet që ka ëbrë thirrje nga Beogradi që të ndalen bombardimet ndaj Serbisë dhe qarqeve serbe”, ka thënë ai.
Jasharaj i është referuar vizitës së Rugovës në Beograd, e cila nga shumëkush konsiderohet si “kidnapim” i tij. Kjo deklaratë e Rugovës, sipas mbështetësve të tij ishte bërë nën trysninë e Millosheviqit.
Jasharaj, tha se për të arkitekt i pavarësisë së Kosovës, ka qenë Adem Demaçi, dhe jo Ibrahim Rugova
“UÇK, dhe ngjarjet që kanë ndodhë, lufta, masakrat, promotori i vetëm që e ka sjellë intervenimin e NATO-s, është UÇK. Nuk dua të lëshohem në aspektin politik, të flas për njerëzit që s’janë në jetë, ato që i kemi thënë i kemi thënë. Për mua arkitekt i pavarësisë është Adem Demaçi, sakrifica e tij. Luftërat përpjekjet, p.sh nëse lidhemi te ngjarjet e viteve 90-ta, aty ka fillu lufta”, ka thënë Jashari.
Ai po ashtu tha se, Lufta e UÇK-së ka qenë luftë vullnetare, dhe se askujt nuk i është mohuar e drejta për të luftuar.