Para pak çastesh ka përfunduar takimi në Bruksel në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Menjëherë pas takmit, Besnik Bislimi ka paralajmëruar për mundësinë e një takimi në nivel të liderëve të të dyja vendeve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, brenda muajit prill.
“Pati një dakordim mes palëve që takimi i radhës të niliet të lartë politik të mbahet më 22 prill. Mirëpo kjo në momentin e fundit nuk është shumë e sigurtë, pasi ka indikacione që presidenti i Serbisë të mos jetë i gatshëm për këtë datë”, ka thënë ai.
Po ashtu Bislimi ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për prezantimin e draftit fillestar të grupit të menaxhmentit lidhur me vetëmenaxhimin e komunave me shumicë serbe. Ai po ashtu ka treguar edhe për çështje tjera të folura në takim.
“Ideja është që të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit. Ka pak paqartësi se si duhet të ecë procedura, kujt duhet t’i prezantohet së pari e si. Pastaj kemi diskutuar për çështje të tjera aktuale, si ajo e energjisë. Edhe për shembull, kemi diskutuar edhe për çështjen e targa se si po ecën implementimi. Kam treguar se regjistrimi deri në fund të marsit po ecë mirë, por pas djegies së makinave ka pasur kërkesa nga Serbia që Kosova të tregojë vullnet të mirë dhe të mos vendosë masa. Mendoj se kjo punë ka kaluar, nuk duhet të diskutohet për targa por të zbatohet. Po ashtu, cka është më e rëndësishmja, kemi diskutuar për mënyrën se si duhet të sekuencohet hapat e ardhëm të marrëveshjes bazike si njohja e diplomave, gjetja e të pagjeturve, mosobstruksioni i Kosovës në organizata ndërkombëtare e të tjera”, përfundoi ai.