Te skuadra e Prishtinës e kanë vlerësuar të rëndësishme fitoren në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovë ndaj Vushtrrisë, por kanë insistuar se ende asgjë nuk ka përfunduar.
Prishtina, të mërkurën triumfoi 2:1 në udhëtim kundër Vushtrrisë, ekip që ishte në avantazh deri në minutat e fundit të ndeshjes.
Ndihmëstrajneri i Prishtinës, Armend Simnica ka thënë se ka përfunduar vetëm pjesa e parë e kësaj gjysmëfinaleje, pasi e dyta do të luhet më 19 prill në Prishtinë, ku edhe do të përcaktohet finalisti.
“Ekipi u angazhua maksimalisht dhe sigurisht që nuk ishte lehtë të kthehemi pas disavantazhit, por ia dolëm mbanë dhe arritëm ta fitojmë ndeshjen. Është një fitore e rëndësishme, por kemi edhe duelin e kthimit pasi asgjë nuk ka përfunduar. E kemi edhe pjesën e dytë, pasi e kemi përfunduar vetëm të parën”, ka thënë Simnica.