Therje me thikë në Fushë Kosovë: 20-vjeçari dërgohet me urgjencë në spital, arrestohet i dyshuari

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe dje në rrugën “Xhevë Lladrovci” në Fushë Kosovë, ku pas një konflikti verbal ku ishin përfshirë dy persona, situata ka eskaluar në dhunë fizike.

Sinjali mëson se si pasojë e kësaj ka mbetur i plagosur me thikë një 20-vjeçar, i cili është dërguar me urgjencë në spital.

Pas dhënies së ndihmës së parë në spital, viktima ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin, ndërkohë që Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar.

26-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Related Articles