Petrit Hoxhaj, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, njëherësh edhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prizrenit, ka përkrahur sulmin fizik të mbrëmshëm nga tre persona kundër gazetarit Valon Syla.
Hoxhaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, me një gjuhë të paprecedent, ka nënkuptuar se Syla e ka merituar sulmin fizik ndaj tij, shkruan Demokracia.com.
“Doren nzemer , Valon Syles shpesh ju kruhet. ( kjo eshte shpreja e lir e imja qe as kush nuk mundet te ma mohoj )”, ka shkruar këshilltari i Pecit me përplot gabime drejtshkrimore.
Këshilltari i Pecit më pas ka tentuar ta përmirësojë veten me një postim të mëvonshëm, duke thënë se duhet pasur kujdes “se kujt dëshiron t’i dërgosh mesazhe dhe se si i drejtohesh”.
“Jam kundër dhunës sepse dhuna nuk e përqon mesazhin e duhur, por duhet pas kujdes se kujt dëshiron t’i dërgosh mesazhe dhe se si i drejtohesh sidomos kur pretendon se e njeh nivelin e emancipimit edukativ e social të vendit. ***vëmendja është e shtrenjtë!!!”, ka shkruar më tej Hoxhaj.
Për Hoxhajn, emër pak i njohur për publikun, më herët është raportuar për parkim të veturës në hapësira të gjelbëruara.
Gazetari Syla mbrëmë është sulmuar nga tre persona, ku ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe në dorën e majtë. Ai ka dyshuar se sulmi ka pasuar pas deklarimeve të tij lidhur me pasurinë e kryetarit të BIK-ut, Naim Tërnavës.