Transferimi i Ermal Krasniqit te gjiganti rumun Cluj ishte jehonë e merkatos së verës, shkruan Gazeta Enigma.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi ashtu siç duhet. Ishte klubi i Ballkanit nga Suhareka që pretendon se Cluj nuk ka kryer obligimin prej 200 mijë eurove për transferimin e tij. Madje, kreu i kampionit kosovar kishte paralajmëruar edhe ankesë në FIFA nëse nuk do t’i paguheshin paratë e sulmuesit anësor.
Rreth kësaj çështjeje, mediumi “Fanatik” e ka kontaktuar presidentin e Clujit, Cristi Balaj, i cili ka shpjeguar se shuma e transferimit prej 200 mijë eurosh duhej të paguhej deri në fund të marsit, sipas kontratës, por që, nga mungesa e pëvojës së transfereve ndërkombëtare, kampioni kosovar ka dërguar faturë të gabuar.
Me këtë rast, Cluji ka kërkuar ri-faturim me shumën e saktë.
“A janë paguar paratë për Krasniqin? Jo. Afati ka qenë në pjesën e dytë të marsit. Jemi vetmë në fillim të prillit dhe na është kërkuar që ta bëjmë faturën sepse nuk është dashur të futej tarifa e solidaritetit. Ata ndoshta nuk e kanë përvojën e duhur të shitjeve ndërkombëtare dhe në momentin që do të shfaqet fatura, atëherë do të zgjidhet ky problem. Bëhet fjalë për 200 mijë euro nga të cilat duhet të ulet tarifa e solidaritetit”, tha Balaj për mediumin rumun.
Krasniqi iu bashkua Clujit në muajin janar ndërsa ka lënë gjurmë menjëherë me paraqitjet e tij fantastike. Për të thuhet se interesim kanë shfaqur klubet italiane, mbi të gjitha Lazio. / Gazeta Enigma/