Një 35-vjeçar që tentoi të kalonte kufirin në Morinë, me një automjet në të cilin kishte fshehur lëndë narkotike, ka rënë në pranga.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin H. R”, njofton policia.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 52 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 7 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë 35 vjeçarin, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.