Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë kryesisht nga bashkëshortët, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i trishtë dyshohet se i ka ndodhur edhe një gruaje në fshatin Kijevë të Malishevës, e cila ka denoncuar për dhunë bashkëshortin, vjehrrin dhe kunatin e saj.
Sinjali mëson se tre të dyshuarit për sulmin fizik ndaj 32-vjeçares janë Sokol Bacaliu (bashkëshorti), Halim Bacaliu (vjehrri) dhe kunati i saj, Artoni.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së enjtes, ku pas një konflikti verbal mes viktimës dhe vjehrrit të saj, ky i fundit ka eskaluar në dhunë fizike. E në ndihmë atij i dolën edhe djemtë e tij, bashkëshorti i viktimës, Sokoli dhe Artoni.
Viktima ka denoncuar rastin në Polici gjatë ditës së djeshme, ku është paraqitur me lëndime të dukshme trupore dhe më pas të njëjtës i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore. Për shkak se ajo nuk është ndjerë e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën në shtëpinë e familjes Bacaliu, është dërguar në shtëpinë e prindërve të saj.
Si rezultat i denoncimit, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Halimi bashkë me djemtë e tij, Sokolin dhe Artonin, të dërgohen në mbajtje dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.
Kujtojmë se rastet e dhunës në familje shpesh herë kanë përfunduar me fatalitet për gratë. Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. E ndër rastet më çnjerëzore ka ndodhur dje në Pejë, ku një person dyshohet se ka vrarë nënën e tij me thikë dhe më pas ka kryer akte kanibalizmi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.