Disa kohë më parë, në emër të Luiz Ejllit u hap një llogari në “Go Fund Me”, e menaxhuar nga familjarët e këngëtarit. Sot, në “Big Brother 2 Fan Club”, për herë të parë u transmetua një video e xhiruar më 21 mars 2023, në të cilën Luizi kërkonte që të mbyllej llogaria e hapur.
Në videon ekskluzive, Luizi informohet mbi llogarinë që është hapur jashtë shtëpisë.
“Para për mua? Për çfarë? Po kush e mori këtë iniciativë?” Epara e punës, numri i llogarisë ku është?” pyet Luizi dhe njoftohet se është hapur në Amerikë dhe mëson që familjarët janë dakord. Më pas, banori i “BBVA” shprehet:“Do të isha dakord nëse kjo iniciativë do të përdorej për në këtë mënyrë që po e them tani fjalë për fjalë: Të përdorej imazhi im, emri im që ato fonde të mblidheshin dhe unë t’i jepja. Pra, thjesht t’i mbaja, t’i mblidhja, që t’i jepja për një familje në nevojë, për një rast, për një emergjencë. Në këtë mënyrë, do të pranoja, por, për përfitimet personale, unë si Luiz jam kategorikisht kundër dhe nuk pranoj që të përdoret as imazhi im, as emri im, nga qofshin ata familjarët e mi, qoftë kushdo tjetër. U them që nëse nesër unë dal jashtë dhe nuk i kam mundësitë të strehohem, unë e bëj thirrjen, por duke qenë jashtë”, u shpreh ai dhe shtoi se për shkak të kushteve të formatit, nuk është në dijeni se çfarë bëhet jashtë”, shprehet Luizi në dhomën e rrëfimeve.
Si përfundim, artisti e mbyll me kërkesën:
“Të ndalohet dhe të mos përdoret fare për mbledhje fondesh imazhi im, emri im, për sa kohë jam këtu brenda”.
Ndërkohë, llogaria në fjalë vijon të jetë e hapur duke mbledhur para, ndërsa familjarët nuk kanë bërë asnjë reagim.