Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se “nuk ka lojë me Asociacionin dhe se Serbia do ta mbajë fjalën dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës kur Kosova ta përmbushë obligimin e saj”.
Vuçiq, në një konferencë për media me ministrin e jashtëm të Suedisë, Tobias Billström, ka thënë se tani është e rëndësishme të fillohet procesi i formimit të Asociacionit.
“Situata është e tillë, ju e formoni Asociacionin me “kompetenca thelbësore” dhe kur ta bëni këtë, Serbia “gjithmonë e ka mbajtur fjalën” dhe do të përmbushë pjesën e saj të punës. Asnjë lojë. Vetëm kur ta përmbushni ju, ne do ta përmbushim tonën”, ka thënë Vuçiq.
Duke e pasur të qartë obligimet nga Marrëveshja e Ohrit se nuk ka prioritete të pikave dhe se të gjitha duhet të plotësohen menjëherë, Vuçiq ka shtuar se “ndoshta Serbia do të bëjë diçka në mënyrë të njëanshme në shenjë të vullnetit të mirë, por se kjo nuk ka të bëjë me obligimin e Kosovës”.
Vuçiq edhe një herë ka kërcënuar duke pretenduar se “duhet të përmbushen obligimet që të mos përfundojnë si disa marrëveshje të tjera, dhe më pas filluan luftërat, sepse disa i konsideruan ato vetëm si të përkohshme dhe për të fituar kohë”.
“Ne në Serbi ndoshta jemi budallenj, por jo edhe aq shumë. Ne patëm mundësinë të mësojmë nga ajo që po ndodh në botë. Kur ta përmbushni obligimin tuaj, atëherë ne do t’i futemi punës për të përmbushur atë që kemi premtuar publikisht”, ka thënë Vuçiq.
Ai në konferencë i ka thënë ministrit suedez se “Serbia do të përmbushë gjithçka që ka thënë, por se nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organet e saj të specializuara”.
Mirëpo, shefi i diplomacisë suedeze tha se pret që të gjitha dispozitat dhe anekset e Marrëveshjes të zbatohen menjëherë.