Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kujtuar sot Ismet Rracin, në 22-vjetorin e vrasjes së tij në Klinë.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se krimi që u bë ndaj Rracit akom nuk ka gjetur dritë.
“Ismet Rracin e vranë më 24 prill të vitit 2001. E vranë në hyrje të banesës së tij, derisa kthehej tek familja e tij; tek Astriti, Asimi, Albani e zonja Xhemile. Ismet Rraci ishte kryetar i zgjedhur i Komunës së Klinës. Ishte patriot i madh, politikan i ndershëm, e bashkëpunëtor i përkushtuar në LDK”.
“22 vite më pas, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e tij. Sot isha në banesën e tij; aty ku po kthehej Ismeti Rraci në prillin e fundit të tij. Krimi ndaj tij, ndaj vet Klinës e Kosovës, 22 vite më pas, ende nuk ka gjetur dritë”, ka shkruar Abdixhiku