Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka komentuar rastin e arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Haradinaj, duke folur në emisionin Pressing, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk duhet të krijojë lidhje të shkurtra, duke çuar miqtë e tij në institucione ku ka shumë mjete financiare.
“Po bën gabim që po krijon lidhje të shkurtra. Nuk bën me i dërgu në institucione ku ka pare krejt dostat. Ky rast mund të jetë i pari që i ka ndodh. Ndoshta ata e dojnë njëri-tjetrin dhe e dojnë shumë paren, por ka me u shkaktu pasoja”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se Kurti ka dalë në anën e a të arrestuarit, duke sulmuar Prokurorinë.
“Unë besoj që Kurti ka paniku shumë. Është problem me dalë kryetari i qeverisë me njeriun e arrestum dhe jo me prokurorin”, ka vazhduar ai.
Haradinaj ka krahasuar rastin e tij sa ishte kryeministër me ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili kishte lëshuar vendin pas një përplasje me të që lidhje me rastin e listave të fryra të veteranëve.
Ai ka thënë se në atë kohë ishte “pushkatuar” nga Vetëvendosje për përplasjen me ish-prokurorin Blakaj. Sipas tij, tani VV po “pushkaton” prokurorin.
“Mua më ka ardhur një prokuror, që se kam njohur kurrë, më ka lypë takim dhe ma ka lypë dosjen e veteranëve, me gjithë vrasjet që i kam pasur. Kur i kam shkru shkresë vetëm me i thënë raporto për fajlin tim çfarë ke bërë, mua më ka pushkatuar Vetëvendosje. Tash kur u arrestu dikush i VV-së, tash u pushkatu prokurori”, ka thënë ai.
“Ky nuk i ka shpallur luftë korrupsionit, mbajeni mend”, ka deklaruar Haradinaj, duke aluduar në kryeministrin Kurti.