Rashiq: Në Veri u bë zgjidhje e përkohshme

Rashiq: Në Veri u bë zgjidhje e përkohshme

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve në veri, doli në konferencë për media ku theksoi se Ministria e tij do të jetë bashkëpunuese me përfaqësuesit e zgjedhur.

Rashiq tha se me këtë pjesëmarrje në zgjedhje është bërë një zgjidhje e përkohshme.

“Kjo çka ndodhi në fundjavë, sipas meje, është një zgjidhje e përkohshme sepse normale është që në secilindo sistem nuk preferohet që dy, tre apo katër përqind që të votojnë në një proces demokratik. E dini edhe ju vetë se nuk ka ndodhur vetëm kështu, por është një planifikim apo vazhdimësi të keqpërdorimit të serbëve në Kosovë nga ana e një regjimi autokrat, i cili i përdor serbët si një mjet për arritjen e qëllimeve të veta dhe nga aspekti njerëz. Për të thënë të vërtetën nuk mund të kuptoj çka po përpiqen të bëjnë”, tha ai.

Rashiq ka thënë se ata që po mundohen ta prishin atë që është arritur deri tash në rrugën e pajtimit do t’i bëjnë keq vetë serbëve të Kosovës.

“Shumë – një rrugë e gjatë kemi kaluar që të arrijmë në këtë moment dhe tash kushdo që të jetë ai ose ajo që ta prishë një mundësi të arritjes së një marrëveshjes, ajo e Ohrit, të cilën e shoh si bazë të mirë për të vazhduar procesin e pajtimit. Kur e them këtë, flas në emër të qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët më së shumti mund ta humbin nëse nuk arritët një marrëveshje e tillë, sidomos të mos respektohet”, ka thënë ai.

Rashiq tha se dera e tij është çelë për të gjithë ata që janë për bashkëpunim, qofshin individë apo grupe, derisa tha se ka “presion maksimal” në atë pjesë.

Related Articles