Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës, ku një person është plagosur me armë zjarri.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë kanë bërë me dije se 44-vjeçari është dërguar atje me plagë në krahë dhe pas dhënies së ndihmës së parë është transferuar për në Spitalin Rajonal në Gjilan.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës.
Bazuar në dëshminë e 44-vjeçarit rreth orës 03:00 të mëngjesit ka vërejtur në punishten e tij një person i cili dyshohet se ka vjedhur ekskavatorin e punës. Në momentin që është përballur me të dhe e ka pyetur se kush është, i dyshuari ka shtënë me armë në drejtim të tij duke e lënë të plagosur.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë e cila dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, i cili menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar për në drejtim të panjohur.