Theret me thikë një 22-vjeçar në Mitrovicë, Policia në ndjekje të të dyshuarve

Theret me thikë një 22-vjeçar në Mitrovicë, Policia në ndjekje të të dyshuarve

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit e mjeteve të mprehta. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike.

Në një përleshje janë përfshirë edhe mbrëmë disa persona në Mitrovicë, ku si pasojë një 22-vjeçar ka mbetur i therur me thikë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit Rajonal në Mitrovicë, kanë bërë me dije se viktima është dërguar atje me lëndime të dukshme në krahë, dorë dhe qafë, e të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga goditjet me mjet të mprehtë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë deklaratën e viktimës dhe dy dëshmitarëve të rastit.

Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në identifikimin e personave të dyshuar, të cilët menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar për në drejtim të panjohur.

Related Articles