Shtetasja britanike Harriet Bridgeman, e cila ishte pjesë e grupit kriminal që u pajtua nga Edmond Haxhia për ekzekutimin e Ardian Nikulajt në Shëngjin është arrestuar nga autoritetet britanike.
Më herët janë arrestuar Edmond Haxhia, i cili dyshohet si organizator i atentatit si dhe Thomas Mithan dhe Steven Hunt. Lajmin e ka konfirmuar Policia e Shtetit, që thotë se ata janë arrestuar në Londër nga një operacion i kryer nga Agjencia Kombëtare për Krimin (NCA).
Pritet që të arrestuarit të ekstradohen në Tiranë sepse mes dy vendeve ka një marrëveshje që e lejon diçka të tillë. Në lidhje me këtë ngjarje vijojnë të jenë në kërkim dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për portugezin Ruben Saravia, i cili dyshohet se është ekzekutori i Nikulajt dhe britanikun Harry Simpson.
Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgeman janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë.
Haxhia është organizator, porositës dhe financues i vrasjes. Gjithashtu bëhet me dije se Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997 për shkak të një pretendimi se nuk janë paguar 10 mijë lekë të vjetra në një karburant.
Përgjatë viteve 1997 deri 1999 janë kryer disa vrasje dhe plagosje mes palëve, ndërsa Nikulaj u vra mbi 20 vite më vonë. Dyshohet se shkak i vrasjes së Nikulajt është gjakmarrja, ndërsa ekzekutori është një shtetas portugez Ruben Saraiva.
Harry Simpson, shtetas britanik; Harriet Bridgeman, shtetase britanike; Thomas Mithan, shtetas britanik; Steven Hunt, shtetas britanik, kanë pasur roin e informatorëve.