Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raporton Radio Evropa e Lirë, miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Kjo, njëherësh, ishte edhe pika e parë e rendit të ditës në takimin që po zhvillojnë në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Nga BE-ja thanë më herët se presin që palët “ta miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si pikë e parë e rendit të ditës”, dhe që kjo të pasohet me “paraqitjen dhe diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” në Kosovë.
Përpara takimit, Vuçiq shkroi në Instagram se “do të jetë vështirë”.
“Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim”, tha ai, pa sqaruar se kujt i referohet saktësisht.
“Megjithatë, ne kemi ligjin dhe drejtësinë në anën tonë. Më e rëndësishme se kjo është se ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruani atë. Përkundër të gjitha presioneve”, tha Vuçiq.