Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar mbrëmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, ia kanë refuzuar ofertën që t’i ndihmojë në procesin e dialogut me Serbinë, i cili ndërmjetësohet dhe lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Deputeti opozitar bëri të ditur se u ka thënë të dy qeveritarëve se ka njerëz me përvojë përreth vetes.
“Mua më kanë refuzuar Kurti dhe Bislimi. Unë iu tregova, desha t’iu jap njerëz. Kam njerëz me përvojë, njerëz të cilët për njëzet e ca vjet e kanë ruajtur me kujdes procesin e vendit. Kam ekspertë. Kur Kurti mbylli derën, jam detyruar të hyjë nga dera tjetër, dera e aleatëve”, theksoi Haradinaj.
Duke folur për mbështetjen që i ka dhënë Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai u shpreh se në këtë rast nuk është me Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, por me shtetin e Kosovës.